Mr. Muhidin Ahmeti
Ndjej kënaqësi të veçantë që sot jam prezent në këtë manifestim që organizohet me rastin e kremtimit të ditëlindjes së njeriut dhe personalitetit më të madh që ka njohur ndonjë herë historia botërore, jo vetëm njeriut por, mbi të gjithë profetit, të dërguarit dhe të zgjedhurit të Zotit Muhamed ibn Adullaut .
Sot po nderojmë një njeri të madh në historinë e njerëzimit. Po nderojmë njeriun, i cili i dha shumë të mira kulturës dhe civilizimit botëror. Po nderojmë atë të cilin Krijuesi i Universit e zgjodhi për Profet të Vetin dhe e ngarkoi me mesazhin universal të përgjegjësisë dhe të drejtimit të banorëve të Planetit. Po e nderojmë dhe po evokojmë përkujtimet më të mira për të Dërguarin e Zotit për Pejgamberin e dashur Muhamed Ibën Abdullahun. Ne jemi krenar që i takojmë ummetit të tij dhe që ecim rrugës së tij. Përse, sepse ky është njeriu që i dha një kahe tjetër, një drejtim të ri zhvillimit të mendimit dhe civilizimit botëror. Ai hapi një faqe të re në epokën e zhvillimit intelektual dhe shpirtëror. Muhammedi i nderuar, Pejgamberi i All-llahut, ishte ai që vendosi kritere të reja për diferencimin e vlerave njerëzore nga antivlerat. Frymëzoi dhe plotësoi vakuumin e shpirtrave të njerëzve duke edukuar njerëzit dhe duke i bërë të jenë të gatshëm për flijime dhe vetëmohime si dhe duke i trasuar rrugën së vërtetës (islamit), e cila mbeti e pacenuar deri në ditët tona. Shkurt ai qe njeriu i cili e ndërroi fizionominë morale, shpirtërore dhe intelektuale të planetit tonë të vetmit në gjithësi, mbi sipërfaqen e të cilit ec qenia njerëzore. Ai erdhi në dynja që të vendoset në rrjedhën e kohës, me qëllim që t’i kontrollojë fuqitë e historisë dhe në këtë mënyrë të krijojë një botë të re të idealeve. Një rend të ri botëror i cili mbështet mbi idealin e paqes, drejtësisë dhe respektimin e drejtave të njeriut. Rend i Ri Botëror që në themel ka Boshtin e së Mirës i cili ruhet dhe mbrohet nga parimi dhe maksima La ilahe ilall-llah. E kjo dot thotë se ka vetëm Një Zot. Vetëm Zoti është Një, tjerët janë në shumës. Njerëzit janë shumë, por të gjithë janë të barabartë tek Ai. Nuk ka popull, komb të privilegjuar, më i mi ri prej jush është ai që është më i mirë në marrëdhënie me njerëzit. Ai deshi që përvojën e tij fetare ta shohë të shndërruar në fuqi të gjallë universale. Ai u kthye madje edhe prej qiellit me një energji që ishte në gjendje të tronditë botën dhe të ndërrojë plotësisht gjininë njerëzore. Ai ishte personifikimi i potencialit më të mirë njerëzor.
Prandaj është organizuar ky manifestim për të shënuar ditëlindjen e tij me qëllim të njohjes së jetës dhe biografisë së tij, njohjes së personalitetit të tij. Shqetëson fakti se si Evropa dhe evropianët sa pak e njohin këtë njeri, për të mos thënë fare. Nuk e njohin njeriun, të cilin e duan një miliard e gjysmë e njerëzve të planetit.
Ne si mysliman nuk duhet të shqetësohemi (edhe pse nuk mund të mos revoltohemi në shpirt, por duhet të përmbahemi, të durojmë), sepse koha punon për ne, e ne duhet të punojmë në kohën tonë për kohën e atyre që po vijnë dhe të lëmë gjurmët tona në histori, që t’i lexojnë shenjat në rrugë ata që do të kalojnë maratonën deri te qëllimi dhe caku përfundimtar. Sepse vetë Pejgamberi (a. s.) kështu na ka mësuar – në Taif, në Uhud, në Mekke. “Nuk kam ardhur që të mallkoj dhe të shkatërroj popuj, por All-llahu më ka dërguar që sa të mundem të udhëzoj. O Zot mos i shkatërro ata, sepse pasardhësit e tyre mbase do të udhëzohen..” (në Taif). Ndërsa në Uhud thotë: Fali o Zot se ata nuk dinë.” Pastaj kur e çliroi Mekken armiqve të tij të përbetuar iu drejtua: “shkoni të gjithë jeni të lirë”.
Sa herë që na vjen dhe na afrohet muaji Rebiu-l-Evvel, muaji në të cilin lindi krijesa më e shkëlqyer në botë, ne duhet të gëzohemi për lindjen e tij sikurse gëzohemi për lindjen e Diellit pas errësirës së madhe të natës. T’i gëzohemi dritës me të cilën ai erdhi, dritë dhe pishtar që nuk do të shuhet deri sa të ketë ditë dhe natë në Dynja. Shkëlqimi i nurit të tij shndriti zemrat dhe shpirtrat e njerëzve edhe pas vdekjes së tij do t’i shndrit derisa të ketë jetë në gjithësi.
Tashmë është e njohur për të gjithë se asnjëherë më parë sikur sot nuk është folur dhe shkruar aq shumë mbi Muhammedin (a. s.) dhe asnjëherë sikur sot nuk është ndjerë një nevojë kaq e madhe që të kuptohet, të ndjehet dhe të prezantohet personaliteti i Pejgamberit (s) dhe mesazhi i tij për njerëzimin.
Kjo nuk i habit ata të cilët e dinë dhe besojnë që Muhammedi (s) është mëshirë dhe gëzim për botët; që ai është i dërguari i fundit, edhe dëshmitari, edhe prurësi i lajmit të gëzueshëm, edhe pishtari i pashuar, edhe shembulli më i mirë, edhe miku më i besueshëm, edhe këshilltari i vazhdueshëm, edhe mbrojtës ynë, edhe bashkudhëtari fisnik, i cili na prinë në rrugën e drejtë deri te qëllimi më i lartë. Nuk ka fjalë njerëzore që mund ta shprehë tërë madhështinë e njeriut dhe pejgamberit – Muhammedit (s), por atë e bën fjala e All-llahut: “Ti o Muhammed je i lartë në moralin tënd” thotë All-llahu i Lartësuar.
Nuk është, pra, madhështia e Muhammedit (s)në pasuri, sepse ai ishte i varfër; as nuk është në fuqi, sepse ai ishte i dobët. Madhështia e Muhammedit (s) është në modestinë e tij karshi të dobëtëve, në guximin e tij karshi të fuqishmëve, dhe në angazhimin e tij para miqve të sinqertë. Ai vet nuk është një mister, por ndikimi i tij është misterioz, sidomos mbi ata të cilët përpiqen ta kundërshtojnë; ai vet nuk është hyjni, por porosia e tij ka fuqi hyjnore; ai nuk veçohej prej njerëzve, por mënyra e tij e jetës ishte mbinjerëzore. Vetëm ai ka mundur t’i lejojë pjesëtarët e vet që armiku t’ua mësojë shkrim-leximin; vetëm ai ka mundur kundërshtarët e tij të përbetuar t’i shndërrojë në miq të pasionuar; vetëm Muhammedi (a. s.) ka mundur të mbetët në memorien e vazhdueshme të njerëzve, të cilët nuk e kanë parë, por e ndjejnë frymën e tij dhe e prekin dorën e tij të shpëtimit në botën, e cila gjithnjë e më shumë po pushtohet nga errësira e jo-moralit.
Prandaj, derisa sot e kujtojmë ditëlindjen (mevludin) e Muhammedit (s) mos të na rrëmbejë dëshira për ta parë figurën e tij, por për t’ na forcuar besimin në vlerat e larta të moralit, pikërisht ashtu sikur besoi dhe veproi pejgamberi Muhammed (s).
Mevlud do të thotë jetë e re, sjellje e përditshme sipas dipozitave të Zotit, falje e pesë kohëve të namazit, ringjallja e xhematit, e jo vetëm shkuarje në manifestim apo një tubim një herë në vit në shtëpi. Nëse e duam Pejgamberin (s), e me siguri se e duam, të mundohemi që kurr të mos i harrojmë fjalët e tij: “Më mirë për ty është që t’i kesh veshët e mbushur me plumb të shkrirë, se të dëgjosh “hajje ales-salah!, hajje alelfelah!” (eja në namaz, eja në shëptim!), e të mos i përgjigjësh!” All-llahu ekber! O Allah, na bën pasuesë të denjë të Pejgamberit Tënd (s). Ji i kënaqur me ne, e neve na bën të kënqur me Ty. Na gëzo në takimin me të dashurin Tënd Muhamedin (s). Të gëzohemi për nëjri tjetrin.
Nuk ka asgjë më të rëndësishme se besimi ynë që nuk jemi të vetëm në këtë botë dhe që na pret miku në botën tjetër; nuk ka asgjë më madhështore se njohja jonë që jemi në rrugën e Pejgamberit(s); nuk ka gjë më të bukur se dashuria jonë ndaj Muhammedit të dashur, të cilën e ndjemë ne shpirt dhe e mbajmë në zemër; nuk ka gjë më të mirë se dëshira jonë që të jetojmë në dashurinë vëllazërore, të cilën na e dhuroi Pejgamberi ynë.
Ja përse mevludi në shtëpitë dhe xhamitë tona ka kuptim – që të zgjojë tek ne të gjitha ato mendime fisnike dhe të gjitha ato vepra të mira, të cilat e stolisin më të mirin midis njerëzve më të mirë dhe më të dashurin midis të dashurve të All-llahut (xh. sh.) dhe më të nderuarin midis pejgambereve të nderuar.
Përkujtimi i Muhammedit (s), e vazhdon besimin tonë dhe e forcon qëllimin tonë që të jemi dhe të mbetemi si një trup i vetëm dhe një shpirt i vetëm në luftë për të drejtat dhe lirinë tonë.
Ju ftoj juve që t’i ndani disa minuta që të zbuloni të kuptuarit e ri të drejtimeve religjioze dhe duke e bërë këtë ta njihni njeriun të cilin e duan një e pesta e njerëzve të këtij planeti.