Parimet e Muslimanit

,,O ju që besuat, kinie frikë All-llahun me një sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni, pos duke qenë muslimanë (besimtarë)“ (Ali-Imran, 102).

Këtë temën e sotme inshaAll-llahu do ta fillojmë me një ngjarje e cila kishte ndodhur në kohën e halifes Umer r.a në të cilën ngjarje shihet besimi, imani, drejtësia, bindja sinqeriteti dhe shumë cilësi tjera të prijësit të muslimanëve dhe natayrisht edhe besimtarëve tjerë, nga të cilët ne sot duhet të motivohemi dhe të veprojmë ashtu.

Tregohet se dy të rinjë shkuan tek Halifi i muslimanëve Umer ibnul Hattabi r.a dhe mbanin për krahë një njeri të panjohur nga shkretëtira. Me të dalë para h.Umerit, ky i pyeti: Kush është ky njeri që po e mbani ashtu ? Ata iu përgjigjën: Ky njeri e ka vrarë babain tonë o halife i muslimanëve, ky është vrasës.

Umeri r.a e pyeti njeriun: A është e vërtetë që ti ua ke vrarë babain këtyre djemve? Po, u përgjigj njeriu, unë e kam vrarë. Si e ke vrarë, pyeti Umeri r.a?

Ai tha: Një ditë kishte hyrë me deven e tij në arën time, oborrin tim, unë i kërkova të del jashtë, por ai refuzoi. Unë e gjuajta me një gurë, e qëllova në kokë, e për fat të keq ra i vdekur për toke. Por unë nuk e kisha qëllimin që ta mbysë atë. Umeri r.a i tha: ,,Për këtë vepër dënohesh me vdekje”.

Ishte një ligj që nuk mund të tolerohej, sepse në Islam shpagimi bëhet sikur vepra e bërë.

,, Ne në të, atyre u kemi caktuar: Njeriu (mbytet) për njeriun, syri për syrin, hunda për hundën, veshi  për veshin, dhëmbi për dhëmbin, por edhe plagët kanë kundërmasë. Por ai që heq dorë nga hakmarrja, kjo është kompenzim (nga mëkatet) për të. Ata që nuk gjykojnë sipas asaj që është shpallur nga All-llahu, ata janë kriminelë ” (El-Maidetu,45).

Pra në bazë të ajetit veprohet njejtë, vrasje për vrasje, sy për sy, vesh për vesh, dhe këtu nuk ka tolerancë në bazë të afërsisë familjare, shoqërisë, autoritetit dhe famës, njeriut të pasur ose prioritete tjera, por sheriati zbatohet për të gjithë njejtë. Umeri r.a nuk e pyeti mbi familjen e tij, as nga cili fis vinte, as cilës shtresë i takonte dhe cili ishte statusi i tij në shoqëri.  Këto nuk i interesonin Umerit r.a sepse  ishte në pyetje zbatimi i ligjit të All-llahut xh.sh.

I kapur ngushtë nga ajo që ndëgjoi burri (vrasësi) tha: O prijës i besimtarëve, kam një kërkesë para se të më vrisni. Të kërkoj që për hatër të Atij që ka krijuar qiej dhe tokë, të më japësh leje vetëm një natë. Dua të shkojë tek bashkëshortja ime dhe tek fëmijët e mi që i kam lënë në shkretëtirë dhe tu tregojë se do të dënohem me vdekje për shkak të vrasjes që kam bërë. Pasha All-llahun ata skanë askënd tjetër që të kujdeset për ta përveq meje.

Umeri r.a e pyeti: E kush del garant për ty se do të kthehesh nga shkretëtira? Burri uli kokën, dhe të gjithë të pranishmit heshtën përnjëherë. Askush nuk goxonte të del garant për këtë njeri se do të kthehet prap për ta marrë dënimin, pasiqë askush nuk e njihte, as emrin nuk ja dinin, as shtëpinë në shkretëtirë, as familjen e as fisin, asgjë nuk dinin për të. Nuk bisedoheshte këtu për ca të holla, as për një parcel toke, as për një kafshë, por garanci për jetë, ku do të praktikohet ligji i sheriatit mbi vrasësin e si të dalin garant për një cështje aq madhore?! Kush do të jetë ai burrë që do merr aq përgjegjësi mbi vete?! Askush nuk fliste. Umeri r.a dukej i prekur nga rasti, por nuk e lëshonte veten. E uli kokën dhe më pas iu drejtua bijve të njeriut të vrarë: A pranoni që ta falni njeriun, t‘ia falni gjakun e babait tuaj? Jo, në asnjë mënyrë, vrasësi i babait do të vritet para syve tanë, u përgjigjën djelmoshat. Edhe njëherë pyeti Umeri r.a, a ka dikush nga ju që del garant për njeriun? Të gjithë përsëri heshtën, përveq një njeriu i cili ishte i dobët në dukje, i thinjur, i lodhur i cili tha: Unë dalë garant për këtë njeri o prijës i muslimanëve, ky ishte Ebu Dherr el-Gifari r.a, shok i Pejgamberit a.s.

Umeri r.a si për t‘ia kujtuar i tha: O Ebu Dherr, a e din që ky është vrasës? Po, u përgjigj Ebu Dherri.

A e njeh pyeti Umeri r.a? jo, tha Ebu Dherri. Po si del garant për dikë që nuk e njeh? Vërejta tek ai cilësi të besimtarit dhe besoj se nuk do të gënjejë, në dashtë Zoti ka për të ardhur dhe do ta mbajë besën e dhënë, u përgjigj Ebu Dherri.

Umeri r.a i tha: O Ebu Dherr! Mos mendo se nëse ky njeri nuk vjen mbrenda afatit, e ne do të heqim dorë dhe ti do të shpëtosh, prandaj mendoje edhe njëherë situatën, je duke marrë një obligim të rëndë mbi supe. Ebu Dherri i tha: Më ndihmoftë Zoti o prijës i besimtarëve!

Pas kësaj bisede dhe garancës së Ebu Dherrit, njeriu u la i lirë, me leje nga kryetari i muslimanëve për tre ditë, derisa ai të shkojë te familja e tij dhe të përshëndetet me ta.

Pas tre ditëve, Umeri r.a i rikthehet cështjes së filluar, nuk bëheshte fjalë që ai ta ketë ndryshuar mendimin dhe vendimin për vrasje, sepse këtë e kishte pohuar edhe më parë, se sikur të ishte edhe djali im do të veproja sipas asaj që parasheh Islami. Ditën e tretë ai mblodhi burrat në xhami  pas namazit të iqindisë. Thirri Ebu Dherrin dhe ai doli para njerëzve, dhe e pyeti: Ku e ke njeriun që ti garantove për të o Ebu Dherr? Nuk e di, o prijës i muslimanëve u përgjigj Ebu Dherri. Koha kalonte dhe njeriu nuk po dukej askund. Gjithë shokët e Muham-medit a.s kishin ulur kokat e tyre dhe askush nuk nxirrte asnjë fjalë. Të gjithë e dinin dashurinë e madhe që e kishte pasur Muham-medi a.s  dhe që të njejtën e kishte edhe Umeri r.a për Ebu Dherrin, sa që ishte në gjendje të japë një organ të trupit të tij për të nëse i duhej. I dhimbsej pa masë Ebu Dherri. Mirëpo këtu bisedohej për cështje sheriatike dhe drejtësie.

Disa momente para perëndimit të diellit, u pa  pluhuri që ngrihej nga të vrapuarit e kalit. Të gjithë u gëzuan bashkë me Ebu Dherrin dhe kuptohet Umeri r.a i cili nga gëzimi i madh bërtiti: All-llahu Ekber dhe të gjithë thanë All-llahu Ekber. Pasi njeriu zbriti nga kali i tij, Umeri r.a e pyeti: Për hirë të All-llahut të Madhërishëm më trego, cfarë të solli të kthehesh e të vritesh! Ti ke mund të mos vishë më, të ishe atje largë në shkretëtirë, e askush nuk do të kishte mundësi të të gjente kurrë?! Burri ia ktheu: O prijës i besimtarëve: Nuk erdha as për ty e as për askend tjetër. Erdha vetëm për hirë të Atij që din cdo gjë, edhe të fshehtat. Kisha frikë se do të thonë njerëzit pas meje se,, ka humbur besa mes muslimanëve”. Pasha All-llahun xh.sh i kam lënë fëmijët e vegjël si zogjtë në shkretëtirë dhe erdha të e marr dënimin që e meritoj.

Mandej Umeri r.a u kthye kah Ebu Dherri dhe e pyeti: Po ti o njeri, cfarë të shtyu të hyshë garant për dikë që se njihje dhe në një cështje kaq delikate dhe kaq të rrezikshme?!

Ebu Dherri tha: Kisha frikë se do të flitet gjithandej për këtë ndodhi dhe njerëzit do të thonë: ,,Muslimanët nuk i zënë besë njëri- tjetrit”

Umeri r.a u kthye kah dy djemtë e babait të vrarë dhe akoma pa u folur atyre, me lotë në sy djemtë bërtitën: E kemi falur o prijës i muslimanëve.

Umeri r.a pyeti: Po pse tash po e falni, pse mbas gjithë atyre ditëve me mërzi dhe brengë?

Djemtë u përgjigjën: Kemi frikë se do të flasin njerëzit e do të thonë se mes muslimanëve ka humbur morali i faljes dhe dhembjes”.

Me lotët që i shkonin rrëke nëpër fytyrë, Umeri r.a u tha djemve të babait të vrarë: Zoti i Madhërishëm qoftë i kënaqur me ju dhe ua shpërbleftë me të mira.

Pastaj iu drejtua Ebu Dherrit: Zoti xh.sh qoftë razi me ty o Ebu Dherr! Ia hoqe një barrë të rëndë këtij njeriu.

Pastaj iu drejtua burrit: Edhe ty Zoti të shpërbleftë për fjalën dhe besën e mbajtur.

Të gjithë të pranishmit edhe ne sot e kësaj dite themi: Zoti xh.sh qoftë i kënaqur me ty o prijës i muslimanëve për drejtësinë që vendose mes muslimanëve.

Kjo ishte drejtësia e muslimanëve të parë, të cilët kur ishte në pyetje realizimi dhe zbatimi i të drejtave të sheriatit, nuk bënin dallime mes njerëzve siq bëhen sotë gjithandej. Vet Muham-medi a.s ishte shprehur me një rast kur kishte ndodhur një vjedhje në kohën e tij, dhe disa njerëz shkuan dhe e lutën që tia falë dënimin asaj gruaje (sanksionimi për vjedhje është prerja e dorës së vjedhësit), Pejgamberi a.s aq shumë u hidhërua nga kërkesa e tyre dhe pastaj tha:

,, Popujt që ishin para jush janë shkatërruar, sepse kur vidhte i forti nuk e dënonin, e kur vidhte i dobëti e dënonin. Betohem në All-llahun e Madhërishëm se sikur edhe Fatimeja e bija e Muham-medit a.s të kishte vjedhur, do t’ia kisha prerë dorën”(Hadith).

Hazreti Aliu r.a i shtrirë në shtrat pas një goditje vdekjeprurëse nga Ibn Mulxheme (p.s Abdurrahman ibn Mulxheme ishte njohës dhe lexues i mirë i Kur’anit, h.Umeri r.a e kishte dërguar si mësues në Egjipt me kërkesë të Amr Ibn Asit i cili ishte guvernator i Egjiptit, por ky ishte vrasësi i Aliut r.a), ftoi djemt e tij dhe i porositi: Mos e vrisni askend tjetër përvec se atë që më ka vrarë. Prisni, e nëse unë vdes nga goditja e tij, merni gjakun tim me gjak. Mos e torturoni njeriun, sepse e kam ndëgjuar Pejgamberin a.s që thoshte: Ruajuni torturimit dhe nëse keni të bëni me qenin e sëmurë.

Cilat mësime nxirren nga ngjarja e ndodhur në kohën e Umerit r.a dhe gjykimit të tij?

-Drejtësia e kryetarit të muslimanëve, siq u pa nga gjykimi i Umerit r.a.

-Gadishmëria e njeriut për vdekje siq u pa nga rasti i vrasësit

-Gadishmëria e Ebu Dherrit për t’i dal krah muslimanit, rrezik edhe me jetë

-Gadishmëria e vëllezërve për ta falur gjakun e babait, duke pare sinqeritetin e të gjitha palëve të involvuara në këtë ngjarje

-Ruajtja e besës mes muslimanëve- Vrasësi  pasi u la i lirë erdhi drejt vdekjes, vetëm për të mos thënë njerëzit se ka humbur besimi mes muslimanëve.

-Muslimanët duhet të kenë besim të plotë mes vete, sa që kur ti thuash dikujt dicka, të jeshë plotësisht i bindur se ai do ta kryej atë punë, do ta ruaj atë sekret, do ta coj në vend atë amanet. Ishte rrezik i madh atë që e mori mbi vete Ebu Dherri, hyri garanc për dikë që kurr se kishte parë e se kishte njohur, por atij nuk iu dhimbs vetvetja, por më shumë e brengosi interesi i përgjithshëm i muslimanëve dhe pasqyra e tyre te të tjerët. E sot ku jemi ne me premtimet e dhëna?

-Morali i faljes dhe dhembshurisë ende është prezent mes muslimanëve, ose duhet të jetë prezent- Djemtë e babait të vrarë e falën gjakun e babait të tyre për tu treguar dhe vërtetuar të tjerëve se mëshira, falja dhe dhembja janë ende cilësi të besimtarëve.Ne sot gati se i kemi humbur këto cilësi, nisur nga fakti se sot askush nuk guxon të merr përsipër dicka për vëllaun, shokun apo dikend tjetër qofshin ato edhe përgjegjësi shumë më të vogla se ajo që e mori mbi vete Ebu Dherri. Nuk ke guxim ti huazosh ca të holla dikujt edhe pse e njeh, sepse të njejtat pastaj nuk mund ti kthesh mbrapa, i injoron zotriu bile edhe duke u betuar rrejshëm. Ske guxim ti lëshë një send emanet të ta ruaj dikush qoftë edhe i afërm ose diqka tjetër. Prandaj edhe të tjerët kur ndëgjojnë se jemi muslimanë nuk na besojnë sepse në të shumtën e rasteve kemi abuzuar me Islamin dhe kemi humbur besimin.

Do ta mbyllim këtë temë me një thënje të bukur të sundimtarit më të drejtë që ka njohur historia njerëzore, h.Umerin r.a i cili duke na treguar se duhet të jemi të kënaqur me fenë Islame dhe mos të mendojmë në dicka tjetër, dhe secili të veprojë drejt, sakt dhe me përgjegjësinë më të madhe, ai tha:

,, Ne jemi një popull të cilin All-llahu e ka lartësuarr me Islamin dhe për sa kohë kërkojmë lavdi dhe prosperitet me dicka tjetër, All-llahu do të na poshtërojë”.

Zoti i Madhërishëm na ndihmoftë ta rikthejmë dinjitetin tonë si besimtarë. Amin

Ligjeratë e mbajtur më 11.03.2016

Xhamia,, Bashkimi“ Linz

Imam, Menderez ef. Alili