Meka, qyteti më i vjetër dhe më i shenjtë në botë

Allahu i Madhërishëm urdhëron e thotë: “Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz, është ajo që u ngrit në Bekë (Mekë), e dobishme udhërrëfyese për mbarë njerëzimin!”(1)
Obligimi i Haxhit dhe vizita e Shtëpisë së Allahut në Mekën e ndershme, është një prej pesë kushteve themelore të fesë Islame. Stina e Haxhit konsiderohet nga stinët më të lumtura dhe më të shenjta tek myslimanët.
Me të vërtetë, kur myslimani apo myslimania arrijnë në lartësitë e Mekës së nderuar, i mbulon një ndjenjë e fuqishme, që është e pamundur për secilin njeri të përshkruajë këtë ndjenjë shpirtërore me një përshkrim të plotë dhe të saktë, sado aftësi stilistike dhe fuqi retorike që të ketë. Mënyra më e mirë për të përjetuar këtë kënaqësi të veçantë, është që vetë myslimani të shkojë dhe të kryejë obligimin e Haxhit dhe të vizitojë për së afërmi Shtëpinë e Allahut – Qabenë e madhëruar.
Nuk ka kurrfarë dyshimi se ai që dëshiron të kryejë obligimin e Haxhit në mënyrën më të denjë dhe të pastrojë shpirtin e tij, duke e kënaqur me këtë Zotin dhe Pejgamberin e Tij, vërtetë do të ndiejë një lumturi të jashtëzakonshme, sidomos nëse ka sado pak njohuri rreth historikut të këtij vendi të shenjtë, të cilin Krijuesi i Lartmadhërishëm e ka zgjedhur pikërisht për Shtëpinë e Tij – Qabenë e nderuar!
S’ka dyshim, Meka është vendbanimi (qyteti) më i lashtë mbi sipërfaqen e tokës. Nocioni “karjetun” (fshat), me të cilin Allahu i Lartësuar e ka emëruar Mekën e nderuar, që njihet edhe me emrin “ummul kura” (nëna e fshatrave) në këtë kontekst ka pikërisht kuptimin e asaj që ne e quajmë sot – qytet. Pra, nëna e qyteteve, për shkak se ai është vendi, në të cilin mblidhen njerëzit për të kryer detyrën e Haxhit, ashtu siç mblidhen fëmijët rreth nënës së tyre.
Nëse flasim për lashtësinë e qytetit të Mekës dhe themi se është qyteti më i lashtë në mbarë botën, me këtë duam të vëmë në dukje se qyteti i Mekës është qyteti më i vjetër në botë, i cili edhe sot lulëzon dhe gjallëron me numrin e madh të njerëzve, me ndërtimet, zhvillimin dhe qytetërimin. U ndërtuan edhe qytete të tjera, mirëpo ato, me kalimin e kohës, u zhdukën dhe humbën çdo gjurmë, e disa prej tyre Allahu i Gjithëfuqishëm i shkatërroi me rrënjë e i zhduku nga sipërfaqja e tokës.
Meka e nderuar, pa kurrfarë diskutimi, është qyteti më i shenjtë në mbarë botën.
Parashtrohen pyetje të shumta që i obligojnë myslimanët për të dhënë sqarime dhe shpjegime rreth tyre. Prej atyre pyetjeve janë:
– Çfarë marrëdhëniesh (lidhjesh) kishte babai i njerëzimit, Ademi a.s., me qytetin e ndershëm të Mekës?
– A e vizitoi këtë vend (a e bëri Haxhin) Ademi a.s.?
– A është varrosur në njërën prej kodrave të bekuara të saj?
– Cilat janë shkaqet e ndërtimit të Qabesë nga babai i Pejgamberëve, Ibrahimi, me djalin e tij Ismailin a.s.?
– Përse vrapojnë njerëzit (haxhinjtë) në mes kodrave Safa dhe Merva dhe çfarë lidhjesh ka kjo me Haxheren – bashkëshorten e Ibrahimit a.s.?
– Si buroi (zuri fill) pusi i Zemzemit?
– Cilat janë gjërat mrekulluese dhe të jashtëzakonshme që karakterizojnë qytetin e Mekës, dhe sidomos Qabenë e nderuar apo Shtëpinë e shenjtë të Allahut?
Për të gjitha këto pyetje dhe shumë e shumë pyetje të tjera, janë shkruar vëllime të mëdha librash, andaj është e pamundur që ky artikull të sqarojë dhe të japë përgjigje për të gjitha ato, po megjithatë, me ndihmën e Allahut të Lartësuar, do të përpiqemi t’u japim atyre disa përgjigjeve, pa u thelluar në detaje.

 

Mekka … dhe Bekka

 

Allahu i Madhërishëm në dy ajetet vijuese të kaptinës Ali Imran thotë: “Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz, është ajo që u ngrit në Bekë (Mekë), e dobishme udhërrëfyese për mbarë njerëzimin. Aty ka shenja të qarta: vendi i Ibrahimit, dhe kush hyn në të, ai është i sigurt. Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabesë) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo, e kush nuk e beson (ai nuk e viziton); Allahu nuk është i nevojshëm për (ibadetin që bëjnë) njerëzit.”(2)
Ajo që u tërheq vëmendjen lexuesve në fillim të këtij ajeti të sures Ali Imran, është pikërisht fakti që Allahu i Madhërishëm e ka emërtuar me emrin “Bekke” qytetin e bekuar, të cilin myslimanët në përgjithësi e njohin me emrin “Mekë”.
Ky emërtim (Bekke për qytetin e Mekës) ka zgjuar interesim tek filologët dhe historianët arabë, të cilët, pas një studimi të thellë, dhanë shpjegime të ndryshme, për se lexuesit është e nevojshme të kenë qoftë edhe disa njohuri rreth këtij emërtimi.
Një grup gjuhëtarësh mendojnë se emri “Bekketu” është emër i prejardhur prej fjalës “El-Bekku”, që do të thotë ‘shtypje’, ‘ngjeshje’, ‘grumbullim’, ‘kallaballëk’, ‘shtyrje’ etj. Arabët thonë “fulanun bekke fulanen bekken”, që domethën ‘filani e ka shtyrë filanin për ta hapur rrugën e tij’. Gjithashtu thonë “tebakkun-nasu” – ‘njerëzit shkaktojnë rrëmujë duke shtyr njëri-tjetrin’ në një vend apo rrugë të ngushtë, për shkak të turmës së madhe.
Për shkak të numrit të madh të njerëzve dhe shtyrjes ndërmjet tyre gjatë kryerjes së ceremonive të Haxhit (si gjatë tavafit, sa’jit etj,), qyteti ka marrë emrin “Bekke”, që domethënë “qyteti që mbushet plot e përplot me njerëz”.
Ky është një mendim. Mendimi tjetër i gjuhëtarëve rreth shpjegimit të emrit “Bekke”, është se ky emër vjen nga folja “bekke jebukku”, që domethënë: ‘thyej’, ‘bëj copë e grimë’, ‘ngujoj’, ‘godas’, ‘shpoj’ etj. Arabët thonë: “është rrëzuar filani nga lartësia e malit dhe ka thyer qafën e tij dhe për pasojë ka vdekur në vend.”
Mirëpo, çfarë ka të bëjë kjo (thyerja e qafës) me këtë qytet të shenjtë?
Mendimi i fundit i filologëve bazohet në argumentin bindës të tyre – se Allahu i Plotfuqishëm është Ai Që kujdeset që Shtëpia e Tij e shenjtë të jetë nën ruajtjen dhe mbrojtjen e Tij. Sa e sa tiranë u munduan ta pushtonin dhe ta dëmtonin këtë vend të shenjtë, por Allahu i Madhërishëm i shkatërroi që të gjithë, prandaj edhe u quajt “Bekke”, ngase ajo ‘u then qafën dhe i shkatërron despotët’ ashtu siç i ndodhi Ebrehe el-Eshrem-it (sundimtar i Abisinisë), i cili dëshiroi ta sulmonte Mekën e ndershme me ushtrinë e elefantëve, por Allahu i Lartmadhërishëm shkatërroi atë dhe ushtrinë e tij duke lëshuar kundër tyre shpendë që vinin tufa-tufa dhe i gjuanin ata me gurë nga balta e gurëzuar, për t’i bërë si një gjeth i grimcuar, ashtu siç e përshkruan këtë ndodhi Vetë Allahu i Lartësuar në kaptinën El-Fil!
Mirëpo, lind pyetja: “Pse emri “Bekke” u shndërrua në “Mekke”?
Disa hulumtues kanë thënë se arabët në shumë raste bëjnë zëvendësimin (ndërrimin) e tingullit “b” me tingullin “m”, në mënyrë që të jetë shqiptimi më i lehtë. Ata, për shembull, për goditjen dërrmuese thonë: “darbetu lazib”, por në shumë raste e thonë edhe “darbetu lazim”, që ka të njëjtin kuptim. Disa gjuhëtarë të tjerë mendojnë se emri “Mekke” ka prejardhjen nga folja “imtekke jemtekku”, qëmethënë: ‘thith’, ‘pi’ etj. Kur i vogli i devesë thith gjirin e nënës (devesë) me një thithje intensive, saqë pi edhe pikën e fundit të qumështit, – filologët arabë për këtë veprim të të voglit të devesë thonë: “imtekke dar’a ummihi felem jetruk fihi shejen minel lebeni”, domethënë: ‘ka thithur gjirin e nënës dhe ka pirë tërë qumështin e saj’.
Po ashtu edhe për njeriun që thith ashtin për të nxjerrë palcën, arabët e përdorin foljen “imtekke” ‘ka thithur’…
Meka – qyteti në të cilin gjendet Shtëpia e shenjtë e Allahut (Qabeja), është quajtur me këtë emër për arsye se shu mica e njerëzve (në të kaluarën – vër. e përkthe.) gjatë stinës së Haxhit nxitonin për tek puset e pakta dhe të cekëta që kishte ky vend, në mënyrë që të shuanin etjen. Kur vinin tek puset, (nga etja e madhe) pinin ujë ashtu sikurse i vogli i devesë që thith gjirin e s’ëmës (devesë), apo sikur hamësi që me bebëzi thith copën e ashtit për të nxjerrë palcën. Për këtë shkak është quajtur “Meka” me këtë emër (pra, vendi ku njerëzit nxitojnë për të shuar etjen).
Të gjitha këto mendime, në çdo mënyrë, janë një përpjekje e shkëlqyer nga ana e filologëve dhe historianëve arabë, që janë për çdo lëvdatë dhe ia vlen të mësojmë kuptimin e drejtë dhe të saktë të këtyre nocioneve.
Ashtu siç i kushtuan kujdes filologët arabë studimit dhe hulumtimit të nocioneve “Mekke dhe Bekke”, po ashtu disa prej tyre u interesuan të gjenin shkakun e emërtimit të Qabesë dhe Haremit me emrin “Bejtull-llahi-l-Haram” – “Shtëpia e shenjtë e Allahut”.
Pas një studimi të frytshëm, thanë se fjala “El-Bejtu” – “shtëpi” është ajo që mbledh dhe bashkon anëtarët e afërm të familjes. Gjithashtu arabët me fjalën “El-Bejtu” i quajnë edhe poezitë apo vargjet e poetëve, ngase ato grumbullojnë shkronjat dhe fjalët e përshtatshme për të krijuar një fjali të bukur, ashtu sikur shtëpitë e njerëzve tubojnë dhe grumbullojnë secila prej tyre banuesit e saj. Po ashtu edhe gruaja është quajtur “shtëpia e burrit” për shkak se ajo i mbledh rreth vetes fëmijët dhe burrin e saj. Prandaj edhe Qabeja është quajtur “Shtëpia e shenjtë e Allahut”, ngase ajo i tubon dhe i bashkon myslimanët gjatë stinës së Haxhit sikurse të ishin një familje e madhe e vetme. Prandaj ata quhen “Ehlull-llahi” – “Njerëz të veçantë të Allahut”, mendojnë disa hulumtues.

 

Shtëpia e parë

 

Në ajetin e sipërpërmendur, Allahu i Madhërishëm Qabenë (Shtëpinë e shënjtë) e cilëson si shtëpinë e parë të ndërtuar për njerëz.
Lidhur me këtë, mufessirët (komentatorët) e njohur të Kuranit si Katadeh, Suddiu dhe Muxhahidi, mendojnë se Qabeja është shtëpia e parë e shfaqur mbi sipërfaqen e ujit që kur Allahu i Lartmadhërishëm ka krijuar qiejt dhe Tokën. Sa kohë që Meka në atë kohë ishte një pikë e madhe e shkumës së bardhë, e cila vërtitej mbi ujë, kurse toka më pastaj u shtri dhe u zgjerua nga pjesa e poshtme e saj.
Ata që mendojnë kështu (që toka u shtri dhe u zgjerua nga pjesa e poshtme e saj), mbështeten gjithashtu në faktin që Allahu i Gjithfuqishëm Mekën e Nder shme e ka quajtur “Ummul Kura” – “Nëna e vendbanimeve”, për shkak se ajo, sipas mendimit të tyre, është nëna e të gjitha fshatrave dhe qyteteve, prandaj edhe thanë se toka u shtri dhe u zgjerua nga pjesa e poshtme e saj.
Allahu i Lartësuar e ka emëruar dhe cilësuar Mekën e Ndershme me emrin “Ummul Kura” – “Nëna e qyteteve” në ajetin 92 të kaptinës El-En’am, kur i drejtohet të Dërguarit të Tij, Muhammedit s.a.v.s.:
“Edhe ky (Kur’an) është libër që e zbritëm; është i bekuar, vërtetues i së mëparshmes, e që t’i tërheqësh vërejtjen nënës së qyteteve (të banorëve mekas) dhe atyre përreth saj (mbarë botës). Ata që e besojnë Ahiretin, besojnë në të (Kur’anin), ata edhe e falin namazin rregullisht!”(3)
Po ashtu, Allahu i Madhërishëm edhe në ajetin e shtatë të kaptinës Esh-Shura, Mekën e ka cilësuar me epitetin “Ummul Kura” – Nëna e vendbanimeve.
Ebu Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë se Meka e ndershme ka qenë një margaritar i bardhë mbi sipërfaqen e ujit. Pastaj Allahu i Lartësuar e ngriti në qiell,e pozita e saj në tokë ishte në drejtim të Qabesë – Shtëpisë së shenjtë të Allahut. Në këtë shtëpi – Qabe, për çdo ditë hyjnë e dalin nga 70 mijë melekë. Atëherë Allahu i Lartëmadhëruar e urdhëroi Ibrahimin a.s. që të ngrinte themelet e shtëpisë – Qabesë. Mirëpo, udhëheqësi i besimtarëve, Imam Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë se kuptimi i frazës “Shtëpia e parë e ndërtuar për njerëz”, që përmendet në Kuran, ka për qëllim shtëpinë e parë të ndërtuar për adhurim (ibadet). D.m.th. para saj nuk kishte shtëpi (vend adhurimi) ku njerëzit të kryenin Haxhin, mirëpo kishte shtëpi të shumta dhe të zakonshme, ku banonin njerëzit.

 

Mendime të tjera

 

Historiani i njohur arab, Ez-Zehriu, mendon se emri “Bekke” ka dallim nga emri “Mekke”. Ai thotë se Bekke quhet vetëm Shtëpia e shenjtë – Mesxhidul Harami (vendi në të cilin haxhinjtë bëjnë tavafin, rrotullimet rreth Qabesë), kurse “Mekke” është emri i gjithë Haremit (vendeve të caktuara që njihen në atë qytet) dhe këtu përfshihen edhe shtëpitë e atyre që banojnë aty. Ai, mendimin e tij e ka mbështetur në argumente të sakta, të cilat i ka transmetuar.
Ebu Ubejdete ka thënë se me emrin Bekke quhet vetëm brendia e Mekës. Transmetohet nga sahabiu i nderuar Ebu Dherr el-Gaffari (Allahu qoftë i kënaqur me të), i cili e kishte pyetur të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. se cila ishte xhamia më e parë e ndërtuar për njerëz, e Pejgamberi s.a.v.s. i qe përgjigjur: “El-Mesxhidul Harami (Qabeja) e pastaj Bejtul Makdisi (Xhamia e shenjtë në Jerusalem – vër. e përkthe.)!”
Allahu Fuqiplotë e ka cilësuar Shtëpinë e Tij të shenjtë (Qabenë) me fjalën e Tij “mubarekun” – ‘shumë e bekuar’. Disa komentatorë të Kuranit (mufessirë), kanë thënë se shkaku i karakterizimit të Qabesë me cilësimin “shumë e bekuar” qëndron në faktin se atij që viziton Qabenë, Allahu i Gjithëmëshirshëm ia fal mëkatet e mëparshme dhe, për adhurimet që kryen aty, ka më shumë shpërblime se për adhurimet e kryera në vendet e tjera.
Në anën tjetër, Qabeja është “shumë e bekuar” për shkak se tavafi (rrotullimi rreth Qabesë) nuk pushon kurrë, as natën e as ditën, gjatë tërë vitit, kështu që është e pamundur ndonjëherë ta gjesh të zbrazur, qoftë edhe vetëm për një çast sado të shkurtër.

 

Përse Qabeja quhet me këtë emër?

 

Pak më parë përmendëm mendimet e historianëve dhe gjuhëtarëve rreth nocioneve “Mekke” dhe “Bekke”, si dhe çfarë thanë për prejardhjen e këtyre dy fjalëve me të cilat u emërua qyteti më i shenjtë i botës ku jetojmë.
Mekës së ndershme i takon shenjtëria për shkak të ekzistimit të “Bejtull-llahit” apo Qabesë së nderuar në këtë vend.
Atëherë përse Qabeja (El-Ka’betu) quhet me këtë emër?
Kjo është një pyetje përgjigjen e së cilës çdo mysliman e myslimane dëshiron ta dijë.
Mendimi më i qëndrueshëm i historianëve dhe juristëve islamë (el-fukahau) është se Qabeja e ka marrë këtë emër për shkak të formës së saj katrore.
Ata thanë se Qabeja u ndërtua në formë katrore për arsye se pozita e saj në tokë është paralele me pozitën e Bejtul Ma’murit, që është në qiell.
Mirëpo,…ç’është El-Bejtul Ma’muri? Allahu i Madhërishëm në kaptinën Et-Tur, betohet në “El-Bejtul Ma’murin”. Në fillim të kësaj sureje Zoti i Plotfuqishëm urdhëron e thotë:
“Pasha Turin. Dhe librin e shkruar në rreshta. Në lëkurë të shtrirë. Pasha shtëpinë (Qabenë) e vizituar (ose Bejti Ma’- murin në qiell)!”(4)
Ibn Abbasi r.a. dhe shumë komentatorë të Kuranit (mufessirë) kanë shprehur mendimin e tyre se Bejtul Ma’muri është një shtëpi (e shenjtë sikurse Qabe ja në tokë – vër. e përkthe.) në qiellin e katërt, e cila është në drejtim të Qabesë së ndershme.
Allahu i Lartësuar e ka cilësuar me këtë emër (Bejtul Ma’mur – shtëpia e vizituar), ngase melaiket e Zotit e vizitojnë këtë shtëpi të shenjtë pandërprerë duke adhuruar dhe madhëruar (ibadet) Allahun e Plotfuqishëm me një adhurim të sinqertë ndaj Tij.
Udhëheqësi i besimtarëve, Imam Ali ibn Ebi Talib (Allahu e nderoftë fytyrën e tij) ka thënë se për çdo ditë në këtë shtëpi (fjala është për Bejti Ma’murin në qiell), hyjnë nga 70 mijë melekë, e pastaj dalin dhe kurrë më nuk kthehen. Të nesërmen hyjnë dhe dalin 70 mijë melekë të tjerë dhe kështu vazhdon për çdo ditë.
Historianët e njohur, si Zehriu dhe Seid bin Musejjebi, mendojnë se Bejti Ma’muri gjendet në qiellin e dynjasë dhe aty ekziston një lumë që quhet “El Hajevan”. Xhibrili a.s., me urdhër të Allahut Fuqiplotë, zhytet për çdo ditë në këtë lumë dhe, kur del prej tij, ai i shkund krahët e tij dhe prej tyre rrjedhin 70 mijë pika ujë të lumit “El-Hajevan”. Atëherë Allahu i Lartësuar nga çdo pikë uji krijon nga një melek. Të gjithë ata melekë (pra, 70 mijë) Allahu i Madhërishëm i urdhëron të hyjnë në Bejti Ma’- mur që të kryejnë namaz dhe, pasi ta falin namazin, dalin prej saj dhe nuk kthehen më.
Këta historianë (Zehriu dhe Seid bin Musejjeb), mendimin e tyre për lumin “El-Hajevan” e bazojnë në hadithin e Pejgamberit (paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë për të), të transmetuar nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të).
Transmeton Ibn Abbasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) se Pejgamberi (paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë për të) ka thënë: “Me të vërtetë pozita e Bejti Ma’- murit në qiell është plotësisht paralele me oborrin e Bejtull-llahit (Qabesë) në Mekën e Ndershme dhe, sikur të binte (Bejti Ma’muri) nga qielli i katërt, do të binte pikërisht në oborrin e saj (Qabesë)!”
Edhe Bejti Ma’muri në qiell ka formë katrore, tamam sikur forma e Qabesë së Madhëruar.
Shkaku përse Bejti Ma’- muri ka formë katrore është se ajo ndodhet përballë Arshit të Allahut të Madhërishëm.
Gjithashtu edhe Arshi ka formë katrore, dhe kjo për arsye se bazamentet dhe dispozitat me të cilat Allahu i Madhërishëm ka ndërtuar Arshin e Tij, përqendrohen në katër pika, të cilat në të njëjtën kohë janë edhe shtylla themelore të fesë Islame dhe besimit të vërtetë. Këto shtylla janë:
Subhanall-llah – që do të thotë: Krijuesi ynë, All-llahu i Gjithëfuqishëm është larg çdo të mete dhe mangësie.
El-Hamdulil-lah – Falënderimi I takon All-llahut. Besimtari i vërtetë asnjëherë nuk duhet ta neglizhojë dhe harrojë falënderimin ndaj Zotit dhe Krijuesit të tij.
Lailahe il-lAll-llah – S’ka të adhuruar tjetër përveç All-llahut. Kjo fjalë tregon Njëshmërinë e Krijuesit (teuhidin) dhe mohon politeizmin (shirkun) dhe
All-llahu ekber – All-llahu është më i Madhi.
Transmetohet se i Dërguari i Allahut s.a.v.s., për mirësitë (bereqetet) që Allahu i ka dhuruar shtëpisë së Tij të shenjtë (Qabesë), ka thënë: “All-llahu i Madhërishëm për çdo ditë zbret 120 mëshira (rahmete). 60 për ata që e bëjnë tavaf Qabenë (sillen rreth saj), 40 për ata që falen në Qabe, dhe 20 për ata që vetëm e shikojnë atë (Qabenë)!”
Nga mirësitë më madhështore të Bejtull-llahit (Qabesë), është se atij që e viziton atë (e kryen Haxhin) Allahu i Madhërishëm ia shlyen të gjitha mëkatet e kaluara, por me kusht që gjatë kryerjes së këtij obligimi ta ketë nijetin të pastër, që Haxhin ta bëjë vetëm për të arritur kënaqësinë e Allahut, dhe assesi sa për sy e faqe dhe sa të paraqitet para njerëzve se është bërë haxhi, ose që të fitojë titullin haxhi për t’i mashtruar njerëzit dhe për t’u cenuar të drejtat e tyre.

 

_____________________
Fusnotat: 1. Kaptina Ali Imran, 96.
2. Kaptina Ali Imran 96, 97.
3. Kaptina El-En’am, 92.
4. Kaptina Et-Tur 1-4.

 

Muhammed Kamil Hasan El-Muhami
Përktheu nga arabishtja: Enes Koshi
Dituria Islame  222