Dita e Ashures

Ka qenë caktim i të Madhit Zot (xh. sh.) nga dita që i ka krijuar qiejt dhe Tokën dhe ka vendosur që koha të llogaritet për dymbëdhjetë muaj, nga të cilët katër i ka dalluar si “muaj të shenjtë” (eshhuri-hurum). Lidhur me këtë, siç transmeton Ebu Bekrete, Pejgamberi (a. s.), ka thënë:
“Koha rrotullohet sikurse atë ditë kur Allahu i ka krijuar qiejt dhe Tokën. Viti i ka dymbëdhjetë muaj, nga të cilët katër janë të shenjtë: tre janë rresht njëri pas tjetrit: Dhul-Ka’de, Dhul-hixhxhe dhe Muharremi, dhe Rexhebi, i cili është në mes të muajve Xhumade-l-uhra dhe Sha’ban!”
E, pra, në këta katër muaj të shenjtë numërohet edhe muaji Muharrem, në të cilin është edhe dita e dhjetë e tij, e cila në traditën fetare quhet “Dita e Ashures” (Jeumu ashura).
Fjala “ashurae” rrjedh nga “ashere”, që në gjuhën arabe do të thotë “dhjetë”.
Transmeton Abdullah bin Abasi se si Pejgamberi (a. s.), pasi që kishte migruar në Medinë, kishte vërejtur se hebrenjtë agjëronin ditën e dhjetë të muajit Muharrem, ndaj dhe Pejgamberi (a. s.) i kishte pyetur se përse ata e agjëronin pikërisht atë ditë?!
Ata i kishin thënë: “Kjo është një ditë e madhe. Atë ditë Zoti e shpëtoi Musain dhe popullin e tij nga dhuna dhe reprezaljet e faraonit. Në shenjë mirënjohje dhe falënderimi për këtë, hazreti Musai agjëroi atë ditë. Prandaj, për këtë arsye edhe ne po e respektojmë hazreti Musain duke e agjëruar pikërisht këtë ditë!”
Kur Pejgamberi (a. s.) e dëgjoi këtë arsyetim, tha: “Ne e nderojmë më shumë se ju Musain (a. s.)!” Dhe kështu, Pejgamberi (a. s.) filloi vetë ta agjëronte ditën e dhjetë të muajit Muharrem, po edhe popullin e tij e urdhëroi që ta agjëronte (pra, Ditën e Ashures).
Mirëpo, më pas, kur agjërimi i muajit të Ramazanit u ligjësua si detyrim dhe u bë farz nga Allahu i Gjithëmëshirshëm, Pejgamberi (a. s.) i la besimtarët të lirë, kush do mund ta agjërojë Ditën e Ashures, e kush nuk do, mund edhe të mos e agjërojë.
Lidhur me këtë, ai tha: “Me të vërtetë, Dita e Ashures është një ditë nga ditët e Zotit, prandaj kush prej jush do që ta agjërojë këtë ditë, le ta agjërojë, e kush nuk do le të mos e agjërojë!”
Agjërimi i Ditës së Ashures i përket kategorisë së synetit, ndonëse Pejgamberi (a. s.) me këtë rast ka vënë një kusht: Agjërimit të kësaj dite duhet t’i bashkëngjitet me agjërim edhe dita e nëntë ose e njëmbëdhjetë, me qëllim që kjo të mos përngjajë me agjërimin e kësaj dite nga hebrenjtë, ose të agjërohet tri ditë radhazi (pra, dita e nëntë, e dhjetë dhe e njëmbëdhjetë e muajit Muharrem).
Përndryshe, sipas mendimit të disa dijetarëve, Dita e Ashures është një ditë e shënuar që ka rëndësinë e vet, sepse ajo përkon me ndodhjen e disa ngjarjeve të rëndësishme në historinë islame, ndër to mund të përmendim se në Ditën e Ashures, anija me të cilën ka lundruar hazreti Nuhu gjatë tufanit/përmbytjes së madhe është ndalur në malin Xhudij. Në shenjë falënderimi Allahut, hazreti Nuhu atë ditë kishte agjëruar dhe ua kishte rekomanduar edhe njerëzve të tjerë që të agjëronin. Madje, njerëzit të cilët kishin shpëtuar me këtë rast, pasi që anija e tyre qe ndalur në breg të malit, kishin mbledhur disa nga ç’ju kishin tepruar deri në ato momente, si grurë, qiqra, leblebi etj. dhe, pasi uji qe tërhequr, kishin gatuar një ushqim për të bërë iftar me të. Ky konsiderohet edhe gatimi i parë pas atij tufani-përmbytjes. Nga ajo kohë dhe sa për ta kujtuar atë ditë, është përcjellë brez pas brezi, në formë tradicionale gatimi i një ëmbëlsire të quajtur “ashure” (në popull njihet edhe si “hashure”). E rëndësishme është se, çka do që myslimani bën, çfarëdo ëmbëlsire qoftë, për t’ia dhuruar vëllait të tij, komshiut, mikut, dashamirit, të varfrit, nevojtarit, jetimit… është gjë e mirë dhe, madje, e shpërblyer nga ana e Allahut Mëshirëplotë.
Në disa pjesë të Lindjes së Mesme, këtë ditë janë të prirë ta ndërlidhin me vrasjen e Imam Hysenit në Qerbela (një vend afërsisht 40 km larg na Kufeja në Irakun e sotshëm), për të cilën thuhet se të ketë ndodhur pikërisht me 10 Muharrem të vitit 61 sipas hixhretit (ose 10 tetor 680 sipas Isait-miladi).
Sido që të jetë, një është e sigurt, se agjërimi, dhënia e sadakasë, leximi i Kuranit e të ngjashme, janë vepra për të cilat Allahu i shpërblen robërit e Tij.
Këta pak rreshta për vlerën dhe rëndësinë e Ditës së Ashurës (Jeumi-ashura’) – (10 Muharrem) do ta përmbyllim me hadithin e hazreti Muhamed Mustafasë (a.s.), në të cilin thuhet: “Më të mirët nga Ymeti im janë ata që më së shumti lexojnë Kuran dhe të cilët më së shumti e kanë drojë dhe e respektojnë Allahun e Lartësuar!”

Marr nga libri: Tema islame (festat, ditët dhe netët e mëdha), të autorit Resul Rexhepi, botuar nga Shtëpia botuese “Dituria Islame”, Prishtinë 2020