Integrimi i muslimanëve në Austri është një nga prioritet e Bashkësisë islame të Austrisë dhe e muslimanëve në përgjithësi. Në Austri zhvillohen shumë aktivitete multikulturore dhe multireligjioze si nga Bashkësia Islame, po ashtu edhe nga qendrat islame anekënd Austrisë.Në kuadër të këtyre veprimtarive dhe me qëllim të afrimit, njohjes dhe të bashkëjetesës midis dy religjioneve dhe pjesëtarëve të dy feve, asaj katolike dhe islame, me datën 02.06. 2012, në Linz u zhvillua ndeshja miqësore e futbollit në mes priftërinjve dhe imamëve. Në këtë ndeshje, e cila u zhvillua në një atmosferë shumë të këndshme dhe miqësore, imamët fituan 4:1 ndaj priftërinjve, dhe me këtë rezultat përfundoi loja, ndërsa më pastaj u zhvillua një lojë tjetër miqësore e përzier imamët dhe priftërinjtë kundër imamëve dhe priftërinjve dhe kështu përfundoi në mënyrën më të mirë ky aktivitetet sportiv duke u ndarë kupa për fituesin dhe duke shkëmbyer ëmbëlsirat në mes njëri tjetrit. Vlen po ashtu të theksohet se në hapjen e këtij aktiviteti morën pjesë me fjalimet e tyre edhe autoritetet shtetërore nga komuna e Linzit.
Ajo që është më e rëndësishmja është se ky aktivitet u organizua me rastin e njëqind vjetorit të njohjes së islamit dhe muslimanëve në Austri si një komunitet dhe bashkësi e barabartë me bashkësinë vendëse katolike. Me 1912 Austria solli “Ligjin Islam”, me të cilin feja Islame njihet ligjërisht dhe juridikisht si fe e barabartë me katolicizmin dhe Kishën katolike.
Mr. Muhidin Ahmeti